Home / Hotelet

Hotelet

Hotel JosefNë Pragë gjenden më shumë se 800 hotele, pjesa më e madhe e të cilëve janë të një standardi shumë të lartë. Me shumë gjasë, hoteli do të jetë shpenzimi më i madh gjatë pushimit tuaj në Pragë. Kryeqyteti është i gjallë gjatë gjithë vitit, kështu që do të ishte më mirë nëse e rezervoni hotelin para se të niseni. Nëse keni ndërmend ta bëni vizitën gjatë pushimeve të Krishtlindjeve, Pashkëve apo gjatë sezonit korrik-gusht, do të ishte mirë që rezervimin ta bëni kohë më parë. Kur kërkoni për hotel duhet të tregoheni të vëmendshëm ndaj çmimit dhe largësisë nga qendra e qytetit. Buddha Bar HotelNdonjëherë janë më mirë hotelet jo edhe aq pranë qendrës, sepse në krahasim me qytete të tjera të botës, Praga është relativisht e vogël dhe ka një transport publik shumë të mirë (megjithatë kontrolloni disa oferta hotelesh, sepse mund të rastisni edhe ndonjë ulje shumë të mirë nga hotelet e qendrës). Nëse keni ndërmend të qëndroni në një hotel të dorës së dytë, ju këshillojmë ta verifikoni personalisht para se të paguani paratë. Numri i yjeve shumë shpesh nuk korrespondon me standardet ndërkombëtare, pasi ndonjëherë pronarët i klasifikojnë vetë bizneset e tyre. Gati të gjitha hotelet i vendosin çmimet sipas sezonit. Natyrisht që ato janë më të larta në kulmin e stinës turistike (deri në 20% më të larta se çmimi standard gjatë sezonit veror dhe deri në 50% më të larta gjatë pushimeve të Krishtlindjeve e Pashkëve).

Prague-apartments.co.uk  – fully equipped 2 bedroom apartment in Andel area (for up to 5 persons).

 

Hotelet

Hoteli Antik ***

Hotel stili, i vogël dhe i qetë me shumë prekje të këndshme lashtësie, në qendrën historike të Pragës. Vendndodhja: Dlouhá 22, Qyteti i Vjetër, website

 

Hoteli Andel’s ****

Ky hotel ka arkitekturë plot dritë dhe një stil krejt bashkëkohor bardh-e-zi me prekje të kuqe. Dhomat kanë dritare panoramike nga dyshemeja gjer në tavan, pajisje DVD e CD, mundësi lundrimi në internet dhe art abstrakt modern. Banjat janë si një botë çudirash, me krom të lustruar dhe xhama akulli. Dhomat më të mira ofrojnë edhe kapardisje si rrobë banje dhe pantofla, marrjen e gazetës dhe mëngjes të shërbyer në dhomë, pa pagesë shtesë. Faqja e internetit ofron paketa me zbritje të konsiderueshme, krahasuar me çmimin fillestar të dhomës. Holli është një shembull mbresëlënës i minimalizmit modern. www.andelshotel.com

 

Aria *****

Mirë se vini në parajsën luksoze të muzikës. Ky hotel i bukur ka një temë muzikore me dhoma që mbajnë emra muzikantësh dhe kate të etiketuar sipas zhanreve të ndryshme muzikore. Dhomat janë mikpritëse, të bollshme dhe të mobiluara me mobilie të vjetra pompoze. website

 

Grand-Hoteli dhe Spa Alchymist *****

Shumë i rekomanduar nga faqja e internetit TripAdvisor, godina e stilit barok të hotelit me 5 yje, ofron 20 suita dhe 26 dhoma, që luhaten nga thjesht luksoze në privilegje të pakapshme. Hoteli ka dhoma të bollshme dhe me dekorim të kushtueshëm, edhe pse stukoja e praruar, perdet e rënda dhe shandanët e kristaltë, për disa i kapërcejnë kufijtë. Ka edhe një qendër kurash estetike shumë të këndshme, një pishinë nëntoke me atmosferë të veçantë dhe një galeri arti. website

 

Hoteli Four Seasons-Prague *****

Ky zinxhir i mirënjohur hotelesh luksoze ka 161 dhoma. Për voli të të gjithëve gjendet pranë Urës Çarls, duke ofruar edhe peizazhe mbresëlënëse. Që të gjitha dhomat kanë jastëkë dhe jorganë me pupla të përzgjedhura, mini-bar, Internet me shpejtësi të lartë dhe aparatura CD. Gjithashtu gjendet edhe një qendër kurash estetike e një palestër. website

 

The Iron Gate *****

The Iron Gate ofron 43 suita dhe studio të mobiluara me shumë shije, në një ndërtesë historike, që daton në shekullin XIV. Restoranti The Iron Gate ofron si kuzhinë ndërkombëtare, ashtu edhe çeke. website

 

Josef ****

Josef është një hotel i sofistikuar mjaft popullor, veçanërisht për ata që vlerësojnë minimalizmin elegant. Ky hotel arkitekture goditëse, ka 110 dhoma të papërshkrueshme nga zëri, mes të cilave dy janë për invalidë. Ka edhe një palestër të shkëlqyer, sallë për takime biznesi dhe një kopsht të këndshëm privat. website

 

U Zlaté Studně (Golden Well – Burimi i artë) ****

Ky hotel i shkëlqyer lëvdohet me disa prej peizazheve më të bukura të Pragës, që zënë fill që prej kopshteve në këmbët e godinës baroke. Dhomat (5 me nga dy shtretër, 12 dopjo dhe 2 suita luksoze) janë të qeta dhe të bollshme, me dysheme druri të lustruar, riprodhime të mobilieve të vjetra dhe banja blu-e-bardhë me dysheme që ngrohen e vaska me hidromasazh, shumë prej të cilave kanë edhe pamje nga Kopshtet e Parkut, që shtrihen poshtë. Hoteli ka një restorant të shkëlqyer (Terasa U Zlaté Studně) dhe një tarracë me një perspektivë madhështore të qytetit. Paqja dhe qetësia janë të garantuara, pasi hoteli përmbyll një rruginë këmbësorësh. website

 

Hotel Adria ****

Një hotel me nuanca plot dritë të së verdhës, gjendet pranë Kopshteve Françeskane të Sheshit Wenceslas dhe ka 88 dhoma të mobiluara me dru të lustruar dhe orendi në gamat e floririt e të gjelbrës. Tek recepsioni mund të bëni edhe rezervime për bileta teatri e turne vizitash nëpër qytet, ashtu si edhe mund të shkëmbeni para në zyrën që gjendet në katin përdhes. Hotel Adria ka mundësi të shkëlqyera si televizor me satelit, bare dhe palestër. Ka edhe disa dhoma invalidësh. website

 

Sax (Hotel i stilit Vintage) ***

Ky hotel 3-yjesh që shkëlqen nga pastërtia dhe dallon nga stili Vintage ka 22 dhoma. Hoteli struket në një rrugë anësore të Nerudova, në Malá Strana që gjendet nën Kështjellën e Pragës. website

 

Mandarin Oriental *****

Një prej hoteleve më të shumëpërfolur të Pragës është Mandarin, që zë godinën e tjetërsuar të një ish-manastiri dominikan të shekullit XVII. Ambientet e brendshme janë projektuar nga i njëjti grup që ka realizuar Burj Al Arab në Dubai. Disa dhoma kanë dysheme parketi të vjetër, disa të tjera kanë tavane në formë kubeje, por ka edhe nga ato krejtësisht moderne: më tërheqëset janë dhomat e kopshtit, dritaret e të cilave shohin nga kopshti i dikurshëm i manastirit. Në këtë hotel kanë ndenjur njerëz të famshëm si Madona e Dalai Lama. www.mandarinoriental.com/prague

Hotel Sax

Hostelet (të lirë)

Hostel Old Prague *

Gazmor dhe mikpritës, me piktura murale të bëra vetë, që u japin dritë ambienteve, ky është një nga hostelet më joshës dhe miqësorë të Pragës, me një ndërthurje vizitorësh që nga të rinj që udhëtojnë me çantë shpine, e deri tek familjet. Kushtet janë të mira, me dyer që kyçen, mëngjes pa pagesë dhe dhoma ku nuk lejohet duhani, edhe pse dyshekët janë gjithmonë pakëz të rënë. Stafi është shumë i gjindshëm (recepsioni punon 24 orë) dhe nuk kishte si të ishte më në qendër nga ç’është: vetëm pesë minuta në këmbë në lindje të Sheshit të Qytetit të Vjetër dhe dy minuta larg tramvajit e metrosë. Ka kompjuterë me internet falas dhe internet me valë nëpër gjithë godinën. www.oldpraguehostel.com

 

Miss Sophies’s *

Ky hostel është një ndërtesë apartamentesh e shndërruar në hostel, në skajin më jugor të Qytetit të Ri dhe është krejt tjetër gjë nga zgjojet e zakonshëm pa pikë shije, që frekuentohen zakonisht nga udhëtarët me çantë shpine. Aty do të gjeni prekje të stili bashkëkohor, me dysheme lisi të rimesuar dhe dekor të fortë minimalist. Motivi kryesor është realitet “i përkorë”, përkthyer në ngjyra neutrale dhe shtretër me skelete të zinj metalikë. Vendi është i famshëm për banjat gjithë stil, ku xhamat e veshur janë plot autografe dhe kokat e dushit hedhin “stuhi” uji. Në katin e nëndheshëm ka një sallon shumë të këndshëm, me kube tullash të kuqe dhe divane me lëkurë të kuqërreme. Tek recepsioni (që qëndron hapur 24 orë) ka gjithmonë personel të ri në moshë, që flet shumë gjuhë dhe plot zell që t’ju ndihmojnë për gjithçka. www.miss-sophies.com

 

Pension Manes **

Nëpër dhoma do të gjeni vetëm çka është e domosdoshme, por çmimi është i shkëlqyer, pasi vendndodhja është në rrugën Mánesova, ngjitur me disa nga baret, restorantet dhe klubet më të mira të zonës. Nuk ka mundësi të veçanta, por dhomat (disa me pamje nga oborri i brendshëm) janë të rehatshme e të qeta, ndërsa personeli shumë miqësor. www.penzionmanes.cz

 

Czech Inn **

Czech Inn e quan veten hostel, por etiketa e një hoteli gjithë stil do t’i rrinte mjaft mirë për shtat. Gjithçka duket sikur është gdhendur nga një arkitekt industrial, i paguar nga vetë babai i hoteleve të stilit, Ian Schrager. Detajet e shkëlqyera gjenden që nga shtretërit e hekurt, të punuar me dorë, e deri tek dyshemetë shik të pastruara me rrjetë teli, pa harruar edhe lavamanët minimalistë në formë katrore, porositur nga katalogë stilistësh gjermanë. Czech Inn oferon një seri mundësish, që nga dhomat-fjetore, tek dhomat private dyshe me çmim fort të leverdishëm (me ose pa banjë brenda), për të përfunduar me apartamente me një, dy ose tri dhoma. Apartamentet e katit të 5, kanë një tarracë të përbashkët dhe mund të mbajnë deri në tetë persona. Në holl gjendet një banak i gjatë me kompjuterë, ndërsa bufeja e shkëlqyer për mëngjes, që shtrohet në bar-kafenenë ngjitur, i vë përfundimisht pikat mbi i. www.czech-inn.com

PAT