Home / Transporti Qytetas

Transporti Qytetas

Është shumë e thjeshtë të vish vërdallë nëpër Pragë nëpërmjet metrosë nëntokësore, tramvajeve dhe autobusëve. Transporti publik në Pragë përdor tri lloje biletash: bileta teke, bileta të transferueshme dhe abone. Ato mund të blihen në makineritë e biletave që gjenden në të gjitha stacionet e metrove apo pranë kioskave të gazetashitësve. Nëse keni në plan të qëndroni në Pragë për një periudhë pak më të gjatë, mund të blini bileta 24, 48 ose 72 orëshe. Një biletë kontrollohet (birohet) kur hipën në metro/tramvaj/autobus dhe koha e përdorimit të saj fillon nga ai çast. Inspektorët e biletave qarkullojnë kudo dhe turistët mbeten shënjestra e preferuar, pasi shumica e tyre nuk e dinë që duhet ta kontrollojnë (birojnë) biletën që të mund ta përdorin atë.

Transporti Qytetas

Abonetë e turistëve

-> për 1 ditë 110 Korona

-> për 3 ditë 310 Korona

 

Metroja e Pragës

Një mënyrë e shpejtë për t’i ardhur vërdallë qytetit, Metroja e nëndheshme e Pragës është e pastër dhe shumë efektive. Ajo punon çdo ditë nga ora 5 e mëngjesit, deri në 12 të natës, të premteve e të shtunave edhe një orë më shumë nga ditët e tjera. Zakonisht intervalet e nisjes së trenave janë çdo 3 minuta gjatë orëve të pikut dhe çdo 5-10 minuta gjatë periudhave më të qeta. Rrjeti i Metrosë së Pragës ka 3 linja, që etiketohen me germa dhe ngjyra korresponduese (E gjelbër – Linja A, E verdhë – Linja B, E kuqe – Linja C).

 

Tramvaji i Pragës

Mund të jetë pak më i ngadaltë, por gjithsesi mbetet një mënyrë e mrekullueshme për të qarkulluar vërdallë (mund të shohësh edhe më shumë kur udhëton me të). Në çdo stacion të tramvajit do të gjeni listën e ndalesave për çdo rrugë që kryen ai dhe tabelën e orareve (e cila është shumë e përpiktë). Lëvizjet e natës kryhen nga tramvajet numër 51-59, me intervale 30 minutëshe. Stacioni kryesor i shkëmbimit të linjave të natës është ai i Lazarskës.

 

Autobusët e Pragës

Meqenëse shërbimi i metrosë dhe tramvajit të Pragës janë shumë të mirë, autobusët nuk para përdoren. Shërbimi i autobusëve të Pragës mbulon më së shumti rrethinat e qytetit. Shërbimi i autobusëve të Pragës është mjaft i rregullt, në oraret 5 e mëngjesit e deri në mesnatë, çdo ditë të javës. Edhe tarifat e autobusëve janë shumë të lira. Praga ka edhe autobusë nate me numrat 501-513, që fillojnë të punojnë kur përfundon orari i atyre të ditës, me udhëtime çdo gjysmë ore, nga mesnata e deri në 5 të mëngjesit.

 

Këshillë: provoni të bëni edhe një udhëtim me teleferik, që do t’ju ofrojë pamje madhështore nga kodra Petřín. Biletat e transportit të Pragës mund të përdoren edhe për këtë shërbim. Teleferiku drejt kodrës Petrin qarkullon përgjatë rrugës ÚjezdNebozizekPetrin dhe funksion çdo ditë nga ora 9 e mëngjesit, deri në 11.30 të darkës, në muajt prill-tetor dhe nga ora 9 e mëngjesit, deri në 11.20 të darkës në muajt nëntor-mars, me qarkullim kabinash çdo 10-15 minuta.

 

Taksitë

Për fatin e keq të Pragës, taksistët e saj janë një damkë në reputacionin e mirë, por të vish vërdallë qytetit nëpërmjet mjeteve publike është kaq e lehtë dhe e leverdishme, sa mund të mos u bjerë fare rasti të keni të bëni me taksitë. Tarifat e taksive në Pragë caktohen nga autoritetet qytetase. Që prej 1 janarit 2007, në Pragë do të gjeni këto tarifa: çmimi bazë 40 Korona, 28 Korona për çdo kilometër të përshkuar dhe 6 Korona për çdo minutë pritje. Nëse doni të kurseni para, kërkoni taksi nëpërmjet kompanive të njohura si: AAA Taxi apo Prague Airport Transfers.