Home / Jeta e natës

Jeta e natës

Si shumica e qyteteve evropiane, ka një numër të madh baresh dhe lokalesh nate, që e shndërrojnë Pragën në një skenë ngazëlluese që gëlon nga jeta e natës.

Të mbash mend se cilat janë vendet “njish” për të shkuar është pak e vështirë, sepse kur ti shkon, i njeh dhe “bëhesh njish”, e ato dalin nga lista e vendeve që duhen parë. Prandaj ne po përmendim vetëm ato me jetëgjatësi më të madhe. Por mund të merrni edhe një revistë që ju sugjeron se cilat janë vendet më të mira për të shkuar gjatë natës në Pragë, që i gjeni në shumicën e hoteleve e hosteleve dhe vendosni vetë. Ne kemi bërë një listë me lokale që ia vlejnë t’u hedhësh një sy. Baret janë të hapur gjatë gjithë ditës, ndërsa lokalet e natës zakonisht fillojnë rreth orës 23, për t’u mbyllur rreth orës 4 të mëngjesit. Nëse ke ndërmend të vazhdosh të festosh edhe pas kësaj ore, ka disa që mbyllin edhe më vonë.

Jeta e natës

Duplex: është një prej lokaleve të natës më të famshëm në Pragë, me pista të stërmëdha vallëzimi, plot me adoleshentë vendas dhe grupe meshkujsh të pashoqëruar. Është një ndërthurje mes lokalit të natës, kafenesë dhe restorantit. Gjatë ditës, restoranti që gjendet në tarracën e katit të 6 është një vend i shkëlqyer për të pirë kafe dhe për të shijuar peizazhin. Gjatë natës ofron një pamje të lojës së dritave në Sheshin Wenceslas. Vendndodhja: Sheshi Wenceslas 21, Qyteti i Ri, www.duplex.cz

Mecca: klub shumë elegant, me elementë industrialchic, ku luhet muzikë club, dance, house dhe techno. Vendndodhja: Pruhonu 3, Holesovice, www.mecca.cz

Karlovy Lazne: një tjetër klub nate gjigant dhe shumë i këndshëm. Secili kat ka stilin dhe muzikën e tij: nga chill out tek hard core trance: grupe live në katin përdhes; dance dhe classic disco në të parin (Discotheque); rock të viteve ’60-’70 në katin e dytë (Kaleidoskop); house dhe techno në të tretin (Paradogs). Vendndodhja: Novotneho lavka, Qyteti i Vjetër (pranë Urës Çarls), www.karlovylazne.cz

RadostFX: ky klub i famshëm ka nam për DJ vendas dhe ndërkombëtarë. Divane shijehollë, sipërfaqe tryezash zbukuruar me mozaikë, kafeneja shërben ushqim të shkëlqyer vegjetarian dhe kek me djathë, një sallë e stilit maroken në pjesën e pasme për t’u qetësuar, ndërsa në katin përdhes një klub që hapet veç në orët e vona të natës. Vendndodhja: Belehradska 120, Vinohrady (pranë stacionit të nëndheshëm të IP Pavlova), www.radostfx.cz

La Fabrique: disko me disa pista, për të gjitha moshat. Vendndodhja: Uhelný trh 2, Qyteti i Vjetër, www.lafabrique.cz

Roxy: nëse preferoni funk dhe techno, atëherë Roxy është lokali më i mirë në qytet. Shkoni rreth mesnatës, kur atmosfera sapo ka filluar të ndizet. Vendndodhja: Dlouhá 33, metro Namesti Republiky, www.roxy.cz