Dy fjalë për Pragën

Praga është një qytet ngazëllues, që ofron një ndërthurje të artit me muzikën, kërcimin, filmin dhe teatrin. Ky xhevahir me arkitekturë origjinale evropiane është një qytet i bukur e romantik, me peizazhe befasuese, kopshte të qeta, lundrime lumore dhe mundësi shëtitjeje nëpër rrugina të ngushta shtruar me kalldrëm. Pavarësisht historisë së tij, që daton më shumë se njëmijë vjet, kryeqyteti çek mbetet një qytet i vrullshëm e modern, me hotele luksoze dhe restorante të shkëlqyera, që ofrojnë kuzhinë tradicionale çeke dhe ndërkombëtare, lokale të modës dhe birrari shumë të këndshme.

Praga është kryeqyteti i Republikës Çeke, tashmë një prej kryeqyteteve evropiane më të preferuar për të pushuar.

Praga është një qytet i ruajtur shumë mirë, që nuk u dëmtua nga Lufta e Dytë Botërore. Ajo ka arkitekturë mbresëlënëse shtrirë në një numër të konsiderueshëm godinash që të lenë pa mend, rrugë gjarpëruese dhe monumente të famshme si Ura Çarls, Sheshi i Qytetit të Vjetër, Kështjella e Pragës, etj. Në vitin 1992, zemra historike e qytetit, që shtrihet në një sipërfaqe 866 hektarësh, hyri në listën e Trashëgimisë Kulturore dhe Natyrore të UNESCO-s. Praga ka një të tillë joshje, sa ata që e vizitojnë, e përmbledhin në fjalën “magjepsje”. Dhe sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, edhe vendasit janë shumë mikpritës e simpatikë.

Ky qytet qëndroi nën rendin komunist për më shumë se 40 vjet dhe zor se vizitohej nga turistë, deri në vitin 1989. Regjimi u rrëzua më 17 nëntor 1989 nga Revolucioni i Kadifenjtë (datë që tani është një festë zyrtare në Republikën Çeke), duke e shndërruar Pragën në një nga vendet më popullore të pushimit në Evropë. Praga është kryeqyteti dhe djepi i kulturës çeke, vendlindje e shumë shkrimtarëve, artistëve, atletëve, sportistëve, regjisorëve të filmave dhe modeleve të famshme. Kudo nëpër Pragë do të zbuloni diçka nga historia shumëplanëshe e qytetit, i cili daton që nga koha e Perandorisë së Shenjtë Romake, vijon nëpër Perandorinë Habsburge, Republikën e Parë Çekosllovake (1918), Protektoratin Nazist të Bohemisë e Moravisë, Republikës Komuniste të Çekosllovakisë, deri në ditët e sotme të Republikës Demokratike Çeke.

Praga është qyteti i duhur për të pushuar një fundjavë

Ajo ka rrugë këmbësorësh drejt monumenteve më të rëndësishme turistike, në mënyrë që ju të mund t’i vizitoni duke shëtitur. Mjaftojnë tri-katër ditë që të ndiheni si në shtëpinë tuaj. Ide e mirë do të ishte një Turne Shëtitës nëpër Pragë, gjatë njërës prej ditëve tuaja të para. Kështu njiheni me të dhe mund të riktheheni në vendet e preferuara ose që doni t’i zhbironi edhe më tej, kur të keni më shumë kohë.

Suksesi i Pragës si një qytet pushimi vjen nga bukuria e tij mahnitëse dhe trashëgimia që bart me vete, por Praga është edhe një nga vendet më popullore të pushimit për turistët e moshës së re, si një vend ideal nëse kërkon të kalosh një fundjavë plot argëtime e jetë të ndezur nate.

Back to top button