Itinerar

Praga në një ditë

Nëse keni vetëm një ditë në dispozicion për të vizituar Pragën, atëherë përqendrohuni në Zonën e Kështjellës, në Malá Strana dhe përmblidheni shëtitjen tuaj në zemër të Qytetit të Vjetër. Kur të mbërrini në Kompleksin e Kështjellës së Pragës, vizitoni Katedralen Gotike të Shën Vitos (Katedrála svatého Víta) e Bazilikën e Shën Gjergjit (Bazilika Sv. Jiří) dhe teksa kaloni hidhuni një sy edhe shtëpive të vogla piktoreske në Rruginën e Artë (Zlatá ulička). Pastaj zbrisni në Malá Strana, ku do të gjeni shtëpi antike qytezash dhe Kishën Baroke të Shën Nikolasit (Chram sv. Mikulase), kupola e së cilës është e veshur krejt me bakër. Për të kapërcyer Urën e Çarlsit (Karlův most) mund të merrni sa kohë të doni: nëse ju pëlqejnë stendat e suvenireve, interpretuesit, artistët, muzikantët ose thjesht peizazhet e bukura të qytetit, do t’ju pëlqejë të hallakateni vërdallë për ca kohë. Nëse doni ta shijoni edhe më atmosferën romantike të qytetit, mund të shëtisni nëpër lumë me Venice Boat Cruise. Gjatë këtij lundrimi të shkurtër (rreth 40 minuta), do të mund të shihni xhevahiret e arkitekturës së Pragës, nga lumi Vltava. Moli prej nga nisen barkat është mu nën Urën Çarls dhe aty mund të shkohet nga Certovka, Ishulli Kampa. Kur të keni kapërcyer urën, ecni përgjatë bregut të lumit dhe pushoni pak në kafenenë e famshme Café Slavia, në molin Smetanovo, ku mund të pini kafe teksa shijoni peizazhin e lumit, përtej të cilit ngrihet kështjella. Pas pushimit vijoni të ecni drejt Sheshit të Qytetit të Vjetër, për të parë Orën Astronomike dhe “Shëtitjen e Apostujve” në përmbushjen e çdo ore. Që aty vazhdoni të ecni drejt rrugës Celetna, ku mund të shihni një sërë shtëpish me rëndësi historike e arkitektonike, si Tre Mbretërit, Luani i Bardhë, Dielli i zi dhe Nëna e zezë e Krishtit. Më interesantja ndër të gjitha dhe që ia vlen të vizitohet është Shtëpia e Nënës të zezë së Krishtit, që daton nga viti 1912 dhe është foleja e një dege të Muzeut Çek të Arteve të Bukura, me një ekspozitë të përhershme të Kubizmit Çek. Rruga Celetna do t’ju çojë drejt Kullës së Barutit (Prašná brána). Krah saj gjendet Bashkia, që është edhe godina me e rëndësishme në lidhje me ndërtimet e stilit Art Nouveau, ngritur mes 1906-1912. Ajo është një ndalesë shumë popullore për vizitorët që joshen nga stolitë e arta, vitrazhet gjithë ngjyra, skulpturat e Art Nouveau, si edhe ekspozitat e koncertet e vazhdueshëm.

Praga në dy ditë

Dita 1:

Shkoni drejt Sheshit të Qytetit të Vjetër, ku “duhet të shikoni me çdo kusht” Orën Astronomike, pastaj vizitoni kishën e bukur gotike të Zonjës Sonë para Tynit ose atë Baroke të Shën Nikolasit. Që aty drejtohuni tek Ura Çarls dhe bëni disa fotografi të bukura. Pastaj ngjituni tek Kështjella imponuese e Pragës, ku ju presin Katedralja e Shën Vitos, Rrugina e Artë dhe Kopshti Mbretëror. Nëse jeni lodhur duke ecur, mund t’i hipnin tramvajit që ngjit kodrën dhe të ngjiteni në kështjellë nga ana tjetër. Kur të ndjeni uri, kthehuni në sheshin Malostranske dhe hani një vakt tipik çek në një prej restoranteve dhe birrarive (pub) të shumta.

Dita 2:

Dita e dytë është shumë e mirë për t’u kaluar “e patrazuar”, duke eksploruar ose duke shëtitur përgjatë lumit. Nga Sheshi i Qytetit të Vjetër shkoni drejt Josefov, vizitoni muzeun çifut, pini një kafe në kafenenë Slavia Café ose tek Imperial Café. Pasdite blini ndonjë gjë nëpër sheshin Wenceslas. Në darkë mund të pini nja dy gota nga e famshmja birrë çeke në lokalin e natës U Pinkasu ose nëse ju pëlqen muzika klasike, mund të ndiqni një koncert tek Rudolfinum.

Praga në tri ditë

Dy ditët e para ndiqnin itinerarin e mësipërm. Ndërsa, gjatë paradites së fundit mund të bëni një udhëtim gjysmë-ditor drejt kështjellës mesjetare Karlstejn, të vizitoni qytetin mesjetar Kutna Hora që gjendet ty pranë, apo një sërë muzesh e galerish, ose të bëni ca blerje. Pasdite mund të drekoni në një prej restoranteve të Malá Strana dhe pastaj t’i hipni teleferikut drejt kodrës Petrin. Është një vend i shkëlqyer për shëtitje çlodhëse, mes kopshteve të qeta dhe peizazhe të mrekullueshme të qytetit. Dhe nëse doni pamje edhe më mbresëlënëse mos harroni të vizitoni Kullën e Vrojtimit Petrin. Nëse keni boll energji, vazhdoni të ecni nga kodra Petrin drejt Pohorelec (Hradcany) dhe vizitoni manastirin Strahov. Që aty merrni tramvajin panoramik nr. 22, që të ktheheni në qytet.

Praga në një javë – pushim i gjatë nëpër qytet

Kryeni vizitat e sipërpërmendura për itinerarin tri-ditor, pastaj vizitoni muze, galeri, Parkun Stromovka dhe Pallatin e Shfaqjeve, që ndodhet në park. Nëse ju pëlqen të ecni, mund të ndiqni turneun shëtitës nga LetnáTroja Château dhe pastaj të ktheheni në qytet me varkë, ose anasjelltas. Gjithashtu do të keni kohë edhe për një udhëtim ditor në Kutná Hora ose për të ndjekur turneun e Fabrikës së Birrës Pilsner. Një javë do t’ju japë kohë të mjaftueshme për t’u zhytur në atmosferën e qytetit dhe të jeni të sigurt që nuk do të mërziteni aspak.

Back to top button