Arsyet për të vizituar Pragën në verë

Nuk mund të gaboni nëse e vizitoni Pragën në verë, sidomos nëse ju pëlqen të jeni mes njerëzve, shumë e shumë njerëzve. Ura e Karlit në verë është si një makinë grirëse mishi: turma njerëzish që hyjnë në urë nga të dy skajet shtrydhen dhe bluhen së bashku në mes të saj. Të gjitha rrugicat e ngushta janë plot e përplot. Do të shihni njerëz zbavitës nga e gjithë bota që shëtisin me harta para fytyrës dhe aparate fotografike mbi supe. Shumica e tyre janë në humor të mirë dhe të lumtur që ndodhen aty ku janë.

Kështjellat dhe kishat e vjetra ofrojnë një pushim të freskët nga dielli i nxehtë. Në të gjithë qytetin ka stola ku mund të uleni dhe të shikoni njerëzit që kalojnë. Ka lëndina, parqe dhe madje edhe Kopshti Mbretëror, ku mund të shtriheni dhe t’u jepni pushim këmbëve të lodhura nga kalldrëmi. Nuk ka gjë më të mirë në një ditë vere sesa të ngjiteni në kodrinën e vogël drejt kalasë, të gjeni një copë bari, të shtriheni me duart pas kokës dhe të shijoni pamjen e të gjithë qytetit.
Dhe mos harroni birrën. Krahasuar me shumë birra në botë, që janë shumë të gazuara, birra çeke e fuçisë ka më pak gaz, prandaj pihet lehtë. Me pak djersë në ballë, asgjë nuk ju bën të ndiheni më mirë sesa të mbani në dorë një gotë të ftohtë akull dhe ta lini birrën të rrjedhë mbi qiellzë e poshtë në fyt për t’ju freskuar përbrenda. Uluni rehat, lëreni diellin t’ju ngrohë, dëgjoni muzikën, lëreni mendjen të endet dhe pini një Pilsner, mundësisht në një nga kopshtet e birrës në Pragë. Praga në verë është e pakrahasueshme.
Gjatë gjithë verës ka shfaqje muzikore, shfaqje operash, festivale, udhëtime me varkë në lumë, plazhe buzë lumit, kopshte dhe tarraca restorantesh. Është një festë mes ndërtesave të lashta që e kanë festuar verën shumë e shumë herë më parë.
















